Portieri i Ganës, Benjamin Asare, u shndërrua në heroin e ndeshjes ndaj Anglisë, pasi me paraqitjen e tij të shkëlqyer ndihmoi skuadrën afrikane të merrte një barazim të vlefshëm 0:0 në Kupën e Botës 2026.

Në moshën 33-vjeçare, Asare po jeton momentet më të mira të karrierës së tij, por rruga drejt suksesit ka qenë gjithçka tjetër përveçse e lehtë. Para se të bëhej portieri numër një i Ganës, ai ka punuar si shitës qesesh plastike, zdrukthëtar, përpunues metalesh dhe madje edhe si konduktor autobusi për të siguruar të ardhura.

Karriera e tij mori drejtim tjetër kur trajneri Ennor Walker zbuloi talentin e tij në ligat e ulëta dhe e afroi te Great Olympics. Walker jo vetëm që i besoi, por shpesh i paguante edhe shpenzimet e transportit për të mos e lënë të hiqte dorë nga futbolli.
Në moshën 28-vjeçare, Asare ishte pranë pensionimit të parakohshëm pasi theu këmbën dhe qëndroi jashtë fushave për një vit e gjysmë. Mjekët i sugjeruan të largohej nga futbolli, por ai refuzoi të dorëzohej dhe u rikthye më i fortë.
Shpërblimi erdhi në vitin 2025 kur debutoi me kombëtaren e Ganës. Në kualifikimet për Botërorin 2026 ai pësoi vetëm një gol në gjashtë ndeshje, ndërsa paraqitjet e tij tërhoqën vëmendje edhe jashtë futbollit. Pasi u publikua një video ku shihej duke udhëtuar me minibus, një biznesmen vendas i dhuroi një veturë si vlerësim për historinë e tij të jashtëzakonshme.
Sot, Asare është një nga arsyet kryesore pse Gana mbetet pa gol të pësuar në Botërorin 2026. Megjithatë, jashtë fushës ai vazhdon të mbetet po ai njeri i thjeshtë që kujdeset çdo ditë për gjyshen e tij të sëmurë.
Historia e Benjamin Asares është dëshmi se këmbëngulja, sakrifica dhe besimi mund ta çojnë një njeri nga ligat e ulëta dhe vështirësitë e jetës deri në skenën më të madhe të futbollit botëror.

